Si të gjeni vendet e duhura shëndetësore
Hitta rätt i sjukvården

Udhëzime për përkujdesje adekuate shëndetësore

Në rend të parë shtëpia e shëndetit

Nganjëherë mund ta keni vështirë të dini se kujt mund t'i drejtoheni për përkujdesje shëndetësore. Si për shembull ku duhet të shkoni kur të keni dhembje në shpinë, ndonjë rrufë të stërgjatur ose keni dhembje të mëdha në bark?

Zakonisht ndihmë për të gjitha sëmundjet që nuk kërkojnë intervenim të menjëhershëm spitali, do me thënë sëmundje urgjente dhe të rrezikshme për jetë, mund të kërkoni në shtëpi shëndeti. Nëse paraqitet nevoja ju prej shtëpisë së shëndetit do të dërgoheni te mjekë tjerë specialistë. Mbrëmjeve dhe ditëve festive, nëse keni probleme që nuk mund të presin deri sa shtëpia e shëndetit të hapet, ju në radhë të parë i drejtoheni reparteve kujdestare në vendin në të cilin jetoni.

Në këtë tekst do të shpjegohet në vija të përgjithshme se si duket përkujdesja e hapur shëndetësore dhe kujt mund t'i drejtoheni për ndihmë, porse mund të ketë dallime të vogla prej një këshilli qarku te tjetri. Nëse doni të dini më shumë për entet shëndetësore atëherë informata aktuale mund të gjeni në vendin në të cilin jetoni. Në faqet e kaltërta të katalogut të telefonave gjeni informata mbi orarin e punës së shtëpive të shëndetit dhe reparteve të tyre kujdestare. Për të gjitha këto gjëra më gjerësisht mund të lexoni në webfaqet e këshillave të qarkut.

Këshilltorja shëndetësore u ofron këshilla dhe informata

Nuk është çdoherë lehtë që vetë të vlerësoni sa jeni i/e sëmurë. Prandaj dhe ekzistojnë këshilltore shëndetësore telefonike në gati të gjitha këshillat e qarqeve ku infermiere me përvojë vlerësojnë problemin, u japin këshilla dhe sipas nevojës edhe u njohtojnë ku mund të kërkoni ndihmë. Në këtë mënyrë koha e pritjes shkurtohet por edhe përkujdesja shëndetësore përmirësohet pasi që ju mësoni se kujt do t'i drejtoheni. Atyre që janë të sëmurë më rëndë u ofrohet ndihmë më shpejt në urgjencë ndërsa ata që vuajnë nga sëmundje më të lehta nuk do të kenë nevojë të presin kohë të gjatë. Kjo mënyrë pune është në dobi të të gjithëve.

Përkujdesja shëndetësore ndahet në përkujdesje të hapur dhe të mbyllur

Përkujdesja shëndetësore mund të ndahet në dy pjesë, në përkujdesje të hapur dhe të mbyllur. Përkujdesje e hapur shëndetësore do me thënë se ju mund të shkoni në shtëpi pas kontaktit me personelin e entit shëndetësor, ndërsa përkujdesje e mbyllur shëndetësore do me thënë se ju duhet të shtriheni në spital. Pjesa më e madhe e përkujdesjes shëndetësore është e hapur. Së pari këtu do të përshkruhet shtëpia e shëndetit dhe repartet specialiste. Pastaj do të përshkruhet reparti i urgjencës që në të shpeshtën e herave shpie në përkujdesje të mbyllur shëndetësore.

Shtëpia e shëndetit

Shtëpia e shëndetit – vendi të cilit i drejtoheni së pari

Shtëpia e shëndetit është baza e përkujdesjes shëndetësore në Suedi. Ajo mund të quhet me emra të ndryshëm si për shembull repart i mjekut shtëpiak, repart i mjekut familjar ose qendër shëndetësore. Aty ju drejtoheni nëse keni problem me shëndetin tuaj. Zakonisht ju i drejtoheni asaj shtëpie të shëndetit që mban përgjegjësinë mbi banorët e zonës në të cilin jetoni ose asaj shtëpie shëndeti në të cilën jeni të regjistruar.

Në shtëpi shëndeti bëhen kontrollime shëndetësore të fëmijëve të sapolindur e deri te trajtime mjekësore të sëmundjeve të zakonshme si për shembull angjinës dhe sëmundjeve kronike. Shtëpisë së shëndetit i drejtoheni edhe nëse dëshironi të merrni këshilla për të ndërprerë pirjen e duhanit apo nëse dëshironi të zvogëloni peshën trupore. Nëse mjeku vlerëson se ju keni nevojë për trajtim më të specializuar atëherë ju udhëzoheni te reparti specialist në ndonjë spital ose njësit tjetër të hapur shëndetësor.

Shtëpitë e shëndetit janë të hapura gjatë ditës, ditëve të punës, dhe gjatë kësaj kohe ju mund t'u telefononi që të caktoni termin. Shumë reparte janë të hapura edhe kohë të caktuara gjatë javës kur ju mund të shkoni nëse keni nevojë për ndihmë edhe pa caktuar termin më parë. Shtëpitë e shëndetit kanë mundësi t'u ofrojnë këshilla nëpërmjet telefonit dhe në raste të veçanta mund t'u vizitojnë edhe në shtëpinë tuaj.

Shumë shtëpi shëndeti dhe spitale kanë edhe reparte kujdestarie ku ju mund të shkoni edhe mbrëmjeve, ditëve festive e në disa raste edhe natën vonë, në rast se keni probleme urgjente. Në të shpeshtën e herave duhet më parë të telefononi për të caktuar termin. Në disa vende në Suedi veprimtaria e kujdestarisë bëhet në repartet urgjente të spitalit.

Mjekë të ndryshëm në shtëpinë e shëndetit

Mjekët që punojnë në shtëpitë e shëndetit janë zakonisht mjekë të praktikës së përgjithshme. Ata quhen edhe mjekë shtëpiak ose mjekë familjar. Të gjithë mjekët e praktikës së përgjithshme janë të specializuar në mjekësi të përgjithshme dhe janë ekspertë per të trajtuar pacientë me simptome të ndryshme dhe të vlerësojnë se cilët kanë nevojë për përkujdesje specialisti tjetër ose të udhëzohen për në spital. Mjekët e praktikës së përgjithshme kujdesen mbi ata që vuajnë nga sëmundje të zakonshme popullore, sëmundjet më të shpeshta në shoqëri. Ata mund të trajtojnë pacientë që vuajnë nga ndonjë formë më e lehtë e sëmundjeve kronike si për shembull diabetit ose dobësimit të zemrës. Mjekët e praktikës së përgjithshme mund të trajtojnë edhe ata që vuajnë nga depresion të shkallës së lehtë dhe të mesme. Qëllimi i kësaj praktike është që ju të shkoni prap te po ai mjek për problemet që keni dhe në këtë mënyrë t'u ofrohet vazhdimësi dhe siguri – prandaj dhe quhen mjekë shtëpiak.

Mjekët e praktikës së përgjithshme punojnë edhe me përkujdesje parandaluese, ata pos tjerash ndihmojnë njerëzit që dëshirojnë të ndryshojnë mënyrën e tyre të të jetuarit, si për shembull t'u ndihmojnë të ndërprejnë pirjen e duhanit, të zvogëlojnë peshën trupore ose të përmirësojnë shprehitë e pirjes së alkoholit.

Mjekët e praktikës së përgjithshme mund edhe t'u udhëzojnë mbi entet shëndetësore. Ata kanë kontakte të shumta dhe e dinë se në cilat lëmi mjekët specialistë janë më të mirë. Prandaj ata u drejtojnë te njësite shëndetësore dhe u shkruajnë udhëzime për instanca adekuate.

Në shtëpi shëndeti, si edhe në spitale, mund poashtu të ketë mjekë që janë duke kryer shkollimin e tyre dhe që quhen mjekë-ShP (AT) dhe mjekë-ShS (ST). Mjekë-ShP janë ata mjekë të cilët pasi të kenë kryer studimet themelore kryejnë shërbimin e përgjithshëm dyvjeçar. Ata zakonisht punojnë nga gjashtë muaj në shtëpi shëndeti. Këta mjekë kanë zakonisht si këshilltar një mjek të praktikës së përgjithshme të cilin ata mund ta pyesin për këshilla.

Mjekë-ShS (ST) janë mjekët që kryejnë shërbimin specializues. Në shtëpi shëndeti zakonisht mund të hasen ata mjekë që specializojnë për t'u bërë mjekë të praktikës së përgjithshme, mirëpo ata edhe mund të kenë zgjedhur lëmi tjetër. Studimet specializuese zgjasin rreth pesë vite. Mjekët-ShS (ST) që hasen në shtëpi shëndeti rregullisht këshillohen nga një mjek i praktikës së përgjithshme.

Një grup tjetër mjekësh që punojnë në shtëpi shëndeti janë mjekët zëvendësues të cilët angazhohen kur të ketë mungesë mjekësh. Ata mund të jenë edhe specialistë edhe jo-specialistë.

Të zgjedhësh shtëpinë e shëndetit

Prej vitit 2010 është bërë e mundur që ju vetë të zgjedhni shtëpi shëndeti apo repart tjetër mjekësor të cilit dëshironi t'i përkisni. Shtëpia e shëndetit ose reparti mjekësor që do ta zgjedhni mund të jetë kudoqoftë brenda këshillit të qarkut apo në ndonjë nga këshillat e qarkut në kufi me këshillin tuaj të qarkut. Ju keni mundësi të zgjedhni reparte mjekësore private ose shtëpi shëndeti dhe reparte mjekësore të këshillit të qarkut.

Në disa këshilla të qarkut është bile e mundur të zgjedhni edhe mjekun shtëpiak. Këtë mund ta bëni duke kontaktuar shtëpinë e shëndetit së cilës dëshironi t'i përkisni. Nëse mjeku të cilin ju keni zgjedhur nuk mund të pranojë pacientë tjerë atëherë ju duhet të zgjedhni ndonjë mjek tjetër. Mjekun shtëpiak mund ta ndërroni sipas dëshirës.

Profesione tjera në kuadër të shtëpisë së shëndetit

Shtëpitë e shëndetit mund të ndryshojnë prej një vendi në një vend tjetër mirëpo në to punojnë edhe infermiere qarku, infermiere me kualifikim të ulët, fizioterapeutë, mami dhe sekretare mjekësh. Në disa vende ka bile edhe terapeutë pune, psikologë, punonjës social dhe dietistë. Në shtëpi shëndeti në të shpeshtën e herave ka edhe repart për përkujdesje shëndetësore të fëmijëve dhe nënave.

Infermiere qarku

Infermiere qarku janë infermiere me kualifikim më të lartë se infermieret. Ato kanë detyra pune praktike si bie fjala të japin vaksina, të ndajnë ilaçe dhe të mbështjellin varrë. Infermieret e qarkut punojnë poashtu edhe në parandalim të sëmundjeve si p.sh. duke udhëhequr aktivitete të grupeve për ndërprerje të pirjes së duhanit. Shumë herë ato edhe i vizitojnë në shtëpi ata të cilët nuk kanë mundësi të vinë deri te shtëpia e shëndetit për trajtim ose analiza.

Infermieret e qarkut në të shpeshtën e herave kanë reparte të tyre për pranim të pacientëve me sëmundje kronike si për shembull diabeti dhe astma. Ato kryejnë një pjesë të trajtimeve dhe kanë të drejtë të shkruajnë recetë për disa ilaçe. Kur të keni problem me shëndetin tuaj dhe telefononi ndonjë shtëpi shëndeti në të shpeshtën e herave janë infermieret e qarkut që përgjigjen dhe u japin këshilla.

Infermiere me kualifikim të ulët

Infermieret me kualifikim të ulët punojnë së bashku me mjekë dhe infermiere qarku. Ato pos tjerash marrin prova gjaku, kontrollojnë zemrën me anë të EKG-së dhe mbështjellin varrë. Në shumë shtëpi shëndeti ato edhe bëjnë vizita shtëpiake. Infermieret me kualifikim të ulët nganjëherë punojnë edhe në sportel të shtëpisë së shëndetit. Në sportel mund poashtu të hasni edhe në sekretare mjeku të cilat përndryshe kryejnë punë administrative të shtëpisë së shëndetit.

Fizioterapeutë

Fizioterapeutët punojnë para së gjithash me pacientë që kanë probleme që ndikojnë në aftësitë e tyre për të lëvizur. Problemet mund të jenë të shpinës ose qafës, ose ata mund të punojnë me rehabilitim pas lëndimeve ose sëmundjeve si për shembull pika në tru, sulm në zemër. Trajtimi që ata ofrojnë mund të jetë për shembull këshilla mbi ushtrime që pacientët vetë mund t'i bëjnë, relaksim dhe masazhë. Fizioterapeutët mund të shkruajnë propozim për recetë për të parandaluar ose lehtësuar ndonjë sëmundje. Në disa vende fizioterapeutëve mund t'u drejtoheni drejtpërdrejtë e në disa vende tjera u nevojitet udhëzim i mjekut.

Terapeutë pune

Terapeutët e punës ndihmojnë personat që vuajnë nga ndonjë sëmundje ose persona që u ka ndodhur ndonjë fatkeqësi që ata përsëri t'i kthehen jetës së përditshme. Ata provojnë mjete ndihmëse dhe janë ekspertë në gjetje të zgjedhjeve praktike për shtëpi dhe për përditshmëri. Këtu mund të bëhet fjalë për shembull për përshtatatje të vendbanimit për karrigë lëvizëse për invalidë.

Punonjës social

Punonjës social ndihmojnë në çështje psikosociale. Ata këtë e bëjnë për shembull duke biseduar me njerëz në gjendje krize. Punonjësit social japin edhe këshilla rreth ekonomisë dhe punësimit kur dikush të jetë i sëmurë. Punonjësit social në të shpeshtën e herave kanë diplomë socionomie me shkollim plotësues në lëminë punë sociale.

Psikologë

Në disa shtëpi shëndeti në Suedi ka edhe psikologë. Psikologët kanë të kryer një shkollë të lartë pesëvjeçare, plus një vit shërbimi praktik. Ata bëjnë trajtimin psikologjik, dhe në rast se kanë kompetencë për terapi ata kryejnë edhe trajtime të tilla.

Shtëpitë e shëndetit në të shpeshtën e herave ofrojnë ndihmë të kufizuar me qëllim që pacientët vetë t'ia dalin në krye situatave problematike. Psikologu mund poashtu të ndihmojë mjekun me teste psikologjike që për shembul nevojiten në hetime rreth rehabilitimit.

Edhe punonjësit social edhe psikologët mund të udhëheqin trajtime grupore si për shembull grupe që merren me kontrollim të stresit.

Dietistë

Dietistët janë ekspertë për ushqim. Ata japin këshilla kur dikujt i nevojitet të ndryshojë peshën trupore ose të ndryshojnë ushqimin nëse vuajnë nga sëmundjet si diabeti dhe alergjitë.

Përkujdesje shëndetësore në rast problemesh të veçanta

Në disa këshilla qarku ka për shembull edhe përkujdesje ndaj personave që abuzojnë alkohol dhe narkotikë dhe vuajnë nga vartësi narkotike apo alkoholi, reparte për rini dhe psikiatri fëmijësh dhe të rinjve (BUP). Aty punon personel me kualifikim të posaçëm për këto lloje problemesh. Për të shkuar te këto reparte mund të merrni udhëzim nga mjeku por aty edhe mund të drejtoheni drejtpërdrejt.

Përkujdesje shëndetësore për fëmijë dhe nëna

Qendër shëndetësore për nëna

Në shtëpi shëndeti, ose reparte të tyre, shpesh herë ka edhe qendër për përkujdesje shëndetësore të nënave, MVC, aty punojnë mamitë. Atyre u drejtoheni për pyetje mbi mjete kontraceptive dhe sëmundje të gjenitaljeve ose kur të jeni shtatzënë. Shumica e MVC-ve organizojnë grupe prindërish dhe mbajnë kurse para lindjes. Mamitë u marrin edhe prova qelizash që të zbulojnë ndryshime të qelizave në qafën e mitrës. Të vizitoni MVC-në nuk kushton asgjë dhe zakonisht ju mund t'i drejtoheni cilit do repart që dëshironi.

Qendër shëndetësore për fëmijë

Qendra shëndetësore për fëmijë, BVC, është poashtu një repart i shtëpisë së shëndetit. Në BVC punojnë infermiere me kualifikim specialist për fëmijë, infermiere qarku dhe mjekë. Aty mund të punojnë edhe infermiere fëmijësh, do me thënë infermiere me kualifikim të ulët të specializuara për punë me fëmijë. BVC-ja bën kontrollime të fëmijëve të shëndoshë deri në moshën 6 vjeçare, pas kësaj moshe fëmijët ndihmohen nga qendra shëndetesore e shkollës. BVC-ja jep poashtu vaksinime dhe aty mund të merrni këshilla mbi për shembull mëkim, ushqim dhe gjumë. Prindët e fëmijëve të sëmurë, të cilës do moshë, duhet t'i drejtohen shtëpisë së shëndetit ose repartit të urgjencës për fëmijë. BVC-ja zakonisht është e hapur dhe pranon pacientë edhe pa caktuar termin. Shpesh herë ndërkaq, edhe mund të caktoni termin.

Qendrat shëndetësore për fëmijë dhe nëna kanë mundësi të angazhojnë edhe psikologë sipas nevojës.

Përkujdesje shëndetësore private

Përkujdesje shëndetësore private me kontratë

Përkujdesja shëndetësore mund të udhëhiqet edhe nga këshilli i qarkut edhe nga firma private që kanë lidhur kontratë me këshillin e qarkut. Prandaj ka dhe shtëpi shëndeti dhe qendra private shëndetësore për nëna. Nuk ka asnjë dallim nëse shkoni te reparte të këshillit të qarkut ose te ato private, që të dyja ato marrin taksa të njëjta.

Përkujdesje shëndetësore private pa kontratë

Ka edhe qendra shëndetësore private që nuk kanë lidhur kontratë me këshillin e qarkut. Te këto qendra ju vetë mbani përgjegjësinë për shpenzimet. Disa shembuj të qendrave private mund të jenë reparte specialiste gjinekologjike, reparte që ofrojnë ndonjë lloj psikoterapie, ose klinika që kryejnë operacione për arsye kozmetike. Nëse nuk e dini nëse një repart shëndetsësor ka apo nuk ka lidhur kontratë me këshillin e qarkut bëni mirë që para se të filloni trajtimin së pari të pyetni sa do t'u kushtojë vizita te ta.

Përkujdesje shëndetësore specialiste

Reparte specialiste

Reparte specialiste ka para se gjithash në spitale urgjence, por edhe në spitalet e afërta dhe në qendrat private shëndetësore. Aty mund të takoni mjekë që janë specialist në lëmi të ndryshme përpos mjekësisë së përgjithshme. Në disa raste atyre mund t'u drejtoheni drejtpërdrejt dhe disa spitale, sidomos në qytete të mëdha, kanë reparte urgjence të hapura edhe ditët e punës. Në raste tjera kërkohet të keni udhëzim prej mjekut tuaj nga shtëpia e shëndetit. Zakonisht punët shkonë më shpejt dhe kushtojnë më pak kur të keni udhëzim.

Mjekë specialistë të ndryshëm

Mjek specialist është mjeku që ka kryer shërbimin specialist, zakonisht në studime pesëvjeçare, pasi të ketë fituar titullin mjek i autorizuar. Ka mjekë të shumë lëmive specialiste. Lëmitë më të mëdha përveç mjekësisë së përgjithshme janë mjekësia interne, kirurgjia, ortopedia dhe psikiatria.

Mjekët internist janë ekspertë për sëmundje të zemrës dhe të enëve të gjakut, për probleme me zorrë dhe mushkëri. Në të shpeshtën e herave këtu bëhet fjalë mbi sëmundje ndaj të cilave nuk kërkohet operacion porse në rend të parë trajtohen me ilaçe ose duke bërë që pacienti të ndërrojë stilin e jetës.

Kirurgjia është një lëmi specialiste në të cilën kirurgët në rend të parë trajtojnë sëmundje të organeve të brendshme duke bërë operacione. Mund pra të bëhet fjalë për gurin në fshikëz dhe veshkë, inflamacion të zorrës qorre ose rrënxim ijesh.

Ortopedët trajtojnë sëmundje në organet lëvizëse dhe që duhet të operohen. Sëmundjet mund të jenë për shembull thyerje e eshtrave, sëmundje të nyjeve ose hernie diskale.

Psikiatri kujdeset për persona me probleme psiqike si depresioni, skizofrenia ose që janë në vartësi të për shembull alkoholit dhe narkotikës. Psikiatër dhe psikolog janë dy profesione krejtësisht të ndryshme. Psikiatri është mjek i autorizuar që ka kryer edhe studime specialiste të psikiatrisë. Psikiatri ka të drejtë të shkruajë receta për ilaçe. Psikologu nuk është mjek por ka kryer një program psikologjie në universitet ose shkollë të lartë. Psikologu për shmebull heton dhe trajton pacientët nëpërmjet psikoterapisë.

Përkujdesje shëndetësore urgjente

Reparte urgjence

Repartet urgjente janë të hapura 24 orë në të gjitha spitalet urgjente. Aty drejtoheni nëse vuani prej sëmundjeve që nuk mund të presin, si për shembull nëse papritmas sëmureni nga ndonjë sëmunjde e rëndë ose lëndoheni rëndë. Këto sëmundje mund të jenë dhembje të papritura në gjoks, ndonjë asht i thyer ose keni gjakderdhje të rëndë. Te urgjenca mund të shkoni edhe nëse vuani nga ndonjë sëmundje dhe gjendja papritmas përkeqësohet. Shtëpitë e shëndetit shkruajnë udhëzime për të shkuar te reparti i urgjencës nëse mjeku i shtëpisë së shëndetit vlerëson se ju menjëherë duhet të trajtoheni në spital.

Profesione të ndryshme në repartin e urgjencës

Në repartin e urgjencës punojnë infermiere me kualifikim të ulët, infermiere dhe mjekë. Edhe punonjës social, nëse paraqitet nevoja, mund të angazhohen në repartin e urgjencës.

Infermieret me kualifikim të ulët marrin prova, mbështjellin varrë dhe përpiqen që për pacientë të kujdesen në një mënyrë sa më të mirë. Ato punojnë edhe në sportel.

Infermieret bëjnë vlerësim paraprak të gjendjes së pacientit, marrin prova dhe ndajnë ilaçe.

Punonjësit social ndihmojnë para së gjithash të afërmit e atyre që kanë pësuar nga ndonjë fatkeqësi e rëndë ose kanë vdekur. Ata mund edhe të ndihmojnë ata që kanë pësuar nga ndonjë keqtrajtim ose janë viktimë e dhunimit.

Mjeku që u merr në duar në repart urgjence mund të jetë mjek specialist, por zakonisht ata janë mjekë që janë duke vijuar studimet, d.m.th. mjek ShS (ST)ose ShP (AT). Mjekët specialistë kanë shumë detyra tjera në spital dhe shpesh herë nuk gjenden në repart urgjence. Mirëpo çdoherë ka së paku një mjek specialist me të cilin mjekët që punojnë aty mund të kontaktojnë nëse kanë nevojë për ndihmë. Në urgjenca të spitaleve universitare mund të takoni edhe mjekë kandidatë, mjekë të ardhshëm. Ata qëndrojnë në repartin e urgjencës për të mësuar por nuk kanë të drejtë të trajtojnë pacientë.

Detyrë parësore e mjekut të urgjencës ështe të vlerësojë se si ndjehet pacienti, a mundet të trajtohet aty e pastaj të lejohet të shkojë në shtëpi apo nëse duhet të shtrihet në ndonjë nga repartet e spitalit për trajtim të mëtutjeshëm. Shpesh herë në spitale ka edhe vende observimi ku pacientët qëndrojnë disa orë ose deri të nesërmen, nëse mjeku do të përcjellë rrjedhën e sëmundjes ose e ka ende të paqartë nëse pacienti duhet të shtrihet në spital. Nganjëherë nevojitet vazhdim të trajtimit mjekësor në përkujdesje të hapur shëndetësore, zakonisht në shtëpi shëndeti ose reparte specialiste mjekësore. Në raste të tilla pacienti merr një udhëzim ose mjeku i spitalit i shkruan një letër mjekut që do të kujdeset për vazhdimin e trajtimit mjekësor. Nganjëherë pacientët vetë duhet të kontaktojnë shtëpinë e shëndetit për vazhdim të trajtimit.

Spitale lokale dhe të afërta

Spitalet lokale dhe të afërta janë spitale më të vogla që nuk kanë reparte urgjence të hapura 24 orë. Në to punojnë mjekë specialist të ndryshëm. Trajtimi bëhet shpesh në përkujdesje të hapur shëndetësore e që do me thënë se pacientët mund të shkojnë në shtëpi pas vizitës. Aty ka edhe reparte ku pacientët mund të shtrihen nëse trajtimi nuk kërkon përkujdesje të avancuar që mund të bëhet vetëm në spitale urgjence.

Skriv ut
Publicerad:
2011-08-18
Skribent:

Autor: Joel Freilich, mjek në qendrën shëndetësore Harmånger në komunën Nordanstig, Hälsingland

Granskare:

Kontrollues: Johan Berglund, specialist i mjekësisë së përgjithshme, Blekinge