Për të parandaluar lëndimet nga rrëzimi duhet që
- të mbani dritaret dhe dyert e ballkonit, altanit dhe të bodrumit të mbyllura ose të ngujuara që fëmiu të mos mund vetë t'i hapë ato
- të përdorni kapistrat në karrocë të fëmijës aq sa të ketë nevojë
- të përdorni vetëm karrige ecjeje që kanë fren shkallësh që fëmiu të mos mund të kapëcejë këndin e shkallëve
- të lidhni karriget e larta të fëmijëve për tryezë me lidhëse të posaçme
- të përdorni kangjellat, edhe ato lartat edhe të poshtmet nëse keni shkallë në shtëpi
- të ngjitni për muri me grep mobilesh mobilet e rënda
- të keni mbrojtës ndaj rrëshqitjes në vaskë të banjos
- të ulni fundin e krevatit me grila kur fëmiu fillon të ngritet në këmbë të veta.
Për të parandaluar lëndimet nga zjarri duhet që
- shkrepsat t'i vendosni në vende në të cilat fëmiu nuk mund t'i arrijë
- ta mësoni fëmijën të mos prek rubinetin e ujit të ngrohtë
- stufa elektrike të ketë mburojë që mbron nga derdhjet
- të përdorni tenxheretë dhe enët tjera me përmbajtje të nxehtë në atë mënyrë që fëmija të mos mund të lëndohet
- të mbroni fëmijën nga dielli i fortë duke e vendosur nën hije ose duke i vënë kapelë dielli dhe veshje që e mbrojnë nga dielli
- t'i shmangeni përdorimit të mbulesave që varen poshtë nga tryeza me kafe dhe që mund ta joshin fëmijën t'i tërheqë
- të mos përdorni radiatorë që janë më të ngrohtë se 60 gradë.
Për të parandaluar ngulfatjet duhet që
- të largoni gjëra të vogla që fëmijës mund t'i mbesin në fyt
- të kujdeseni që fëmijës të mos i bien në duar qese plastike
- fëmiu çdoherë të ulet kur të hajë
- ti ruani arrat, lajthiat, kikirikat etj., në ndonjë vend ku fëmiu nuk mund t'i arrijë
- rregullisht të tërheqni bulën e biberonit për t'u vërtetuar se është e padëmtuar dhe e tërë.
Ka një cilindër special pjesësh të vogla që mund t'u ndihmojë të vlerësoni nëse ndonjë gjësend është aq i vogël sa fëmijës mund t'i mbetet në fyt. Këtë cilindër mund ta merrni në shtëpinë e shëndetit për fëmijë ose te udhëzuesi i konsumatorëve.
Për të mbrojtur veshët është mirë që
- t'i shmangeni volumeve të larta të zërit, për shembull që fëmiu të mos mund të arrijë sustën e volumit në stereon tuaj dhe të mos e nënshtroni fëmiun ndaj tingujve të lartë dhe të papritur
- të kujdeseni që lodrat të mos kenë tinguj të lartë dhe çjerrës – testoni ato para se t'i bleni.
Për të mënjanuar helmimet duhet që
- kimikalet dhe ilaçet t'i ruani në vende që fëmija nuk mund t'i arrijë, për shembull në ndonjë dollap ilaçesh me dry
- të kujdeseni që fëmiut të mos i bie në dorë duhani dhe cigaret
- të kontrolloni në mos keni bimë helmuese në shtëpi.
Për të pakësuar rrezikun ndaj fatkeqësive në kuzhinë mundeni që
- mjetet e mprehta t'i ruani në atë mënyrë që fëmijët të mos kenë qasje në ato mjete, për shembull në dollapë dhe kutia të sigurta nga fëmijët
- të ruani detergjentin për larje enësh me makinë dhe kimikaliet tjera në atë mënyrë që fëmijët nuk mund të kenë qasje në ato mjete
- në stufën elektrike të përdorni mburojë që mbron nga derdhjet dhe të siguroheni që mbrojtja ndaj rrotullimit të stufës është e instaluar
- përdorni dryrin në derën e furrës dhe mbrojtje nga stufa nëse kapaku i stufës nxehet më shumë se 60 gradë
- nxirrni nga prizat të gjitha kontaktet e aparateve elektrike që nuk i përdorni.
Për të pakësuar rrezikun ndaj fatkeqësive elektrike eshtë mirë që
- të gjitha prizat të kenë kapak mbrojtës
- kordonët, aparatet elektrike dhe llambat të jenë të padëmtuara
- fëmijët nuk mund të arrijnë kordonë që varen
- të siguroheni se aparati për ndërprerje të menjëhershme të elektricitetit në rast prishje të ndonjë përçuesi me tension të lartë është instaluar nga një elektricist i autorizuar.
Për të pakësuar rrezikun ndaj fatkeqësive në ujë duhet që
- gjithmonë të jeni me fëmijën kur ai lahet apo luan afër ujit në mënyrë që të shmangni fatkeqësi të mbytjes në ujë
- të keni parasysh që puset e mëdha, hendeqet të mbushura me ujë, vendlarjet e zogjëve dhe liqenet të vogla mund të paraqesin rrezik që fëmijët e vogël të mbyten në to
- të zbrazni ujin nga pishina transportuese për fëmijë kur ato nuk përdoren
- kujdesuni që fëmiu të përdorë jelek shpëtimi të madhësisë së volitshme dhe të përshtatshëm për peshën që ka fëmija.
Ekzistojnë rregulla se si pishinat e të gjitha llojeve duhet të mbulohen ose të jenë të rrethuara për tu shmangur fatkeqësive të mundshme. Sipas Entit për Konsumatorë, pishinat e notit, liqenet e cekta dhe liqenet për ujitje kopshtesh duhet të jenë të rrethuara dhe të jenë të mbyllura me dry të sigurtë për fëmijë.
Për të pakësuar rrezikun nga udhëtimet me automobil ose biçikletë duhet që
- të përdoret ulëse të aprovuara për fëmijë që mund të montohet të kthyera mbrapa
- prej se fëmiu të ketë mbushur katër deri në pesë vjet të përdorë ulësen me rrip ose jastëk me rrip
- të kontrolloni nëse ka gjësende që mund të fluturojnë brenda në automobil në rast se u duhet të frenoni papritmas
- të përdorni helmetë biçikletash, ulëse fëmijësh dhe siguresë të rrezeve të rrotës nëse fëmiu bartet me biçikletë
- të pritni deri sa fëmiu të ketë mbushur pesë vite që ta lejoni të përdorë biçikletë dyrrotëshe. Para kësaj moshe fëmiu nuk është i pjekur për këtë. Kur përdorin rrota ndihmëse ata mund të arrijnë shpejtësi të cilat ata nuk mund t'i kontrollojnë e kjo paraqet rrezik për fatkeqësi
- kujdesuni që fëmijët deri në moshën shtatëvjeçare të përdorin helmetë speciale për biçikletë me lidhëse të gjelbër për mjekër që zgjidhet vetë kur të arrihet një ngarkesë e caktuar, në Suedi është e përcaktuar me ligj që fëmijët e moshës nën 15 vjeçare duhet të bartin helemetë kur ngasin biçikletën
- të përdorni reflekset
- të ushtroni fëmijën se si duhet të sillet në trafik.
Është mirë nëse fëmiu mund të ulet i kthyer mbrapa kur të jetë në automobil, deri sa kjo gjë të jetë e mundur. Ulësja e automobilit për fëmijë është e vogël kur mbështetësja për shpinë të jetë në lartësi të njëjtë me pjesën e sipërme të veshëve të fëmijës, ose kur pesha e paraparë për ulësen të jetë tejkaluar.
Për të parandaluar fatkeqësi tjera
Për të parandaluar fatkeqësi të llojeve tjera duhet që rregullisht të kontrolloni pajisjet dhe lodrat e fëmiut, si për shembull frenat e karrocës së fëmiut dhe bulën prej gome të biberonit.
Pirja pasive e duhanit
Pirja pasive e duhanit e rrezikon shëndetin e fëmijës. Nëse nuk mundeni të ndërpreni pirjen e duhanit atëherë së paku mund të ndryshoni shprehitë e pirjes së duhanit si, bie fjala, të mos pini duhan në shtëpi. Ambienti në të cilin ku nuk pihet duhani është vendi më i mirë për fëmiun.